Tragjedi në Guajanë: Dhjetëra persona dyshohen të vdekur pas përmbysjes së tragetit

12:35 | 20 Korrik 2026
tragjedi-ne-guajane:-dhjetera-persona-dyshohen-te-vdekur-pas-permbysjes-se-tragetit

Dhjetëra persona dyshohet se kanë humbur jetën pasi trageti MV Barima, me mbi 100 pasagjerë në bord, u përmbys në brigjet e Gajanës.

Trageti ishte nisur të shtunën pasdite nga kryeqyteti Georgetown drejt Port Kaituma, me të paktën 133 persona në bord. Autoritetet kanë bërë të ditur se lista e pasagjerëve nuk është e saktë, ndaj ende nuk dihet numri i vërtetë i personave që ndodheshin në traget.

Operacioni i kërkim-shpëtimit nisi pasi kontrolli ajror mori një sinjal emergjence rreth orës 23:00 të së shtunës.

Deri më tani janë shpëtuar 67 persona: 41 burra, 11 gra, 6 djem dhe 9 vajza. Kryeministri Mark Phillips tha se familjet e të mbijetuarve dhe të personave të regjistruar në listë janë kontaktuar, ndërsa kapiteni dhe ndihmësi i tij, të cilët gjithashtu u shpëtuan, janë rikthyer në zonë për të ndihmuar në operacionet e kërkimit.

Megjithatë, që nga pasditja e së dielës nuk është gjetur asnjë i mbijetuar tjetër. Ministri i Punëve Publike, Juan Edghill, deklaroi se kërkimet vazhdojnë dhe se autoritetet po bëjnë gjithçka që është e mundur për të gjetur personat e zhdukur.

Hetimet për shkaqet e aksidentit janë në vazhdim. Kryeministri Phillips bëri të ditur se dy anëtarë të ekuipazhit rezultuan pozitivë në testet për kanabis.

Sipas tij, trageti kishte raportuar një ngarkesë prej 268 tonësh, ndërsa kapaciteti maksimal ishte 284 tonë. Ai ishte i licencuar të transportonte mbi 300 pasagjerë dhe ishte i pajisur me 250 jelekë shpëtimi, gjashtë gomone shpëtimi të fryra me ajër dhe dy mjete të tjera shpëtimi.

Phillips theksoi se nëse hetimet zbulojnë neglizhencë, keqsjellje apo vepër penale, përgjegjësit do të përballen me drejtësinë, shkruan DW.

Komento: