ASK: Tregtia me pakicë në Kosovë shënon rritje të qarkullimit dhe punësimit

18:00 | 20 Korrik 2026
ask:-tregtia-me-pakice-ne-kosove-shenon-rritje-te-qarkullimit-dhe-punesimit

Tregtia me pakicë në Kosovë ka shënuar rritje gjatë muajit maj të këtij viti, ndërsa rritje janë evidentuar edhe në numrin e të punësuarve, si dhe në fondin e pagave dhe mëditjeve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi i qarkullimit në tregtinë me pakicë, përjashtuar tregtinë e automjeteve dhe motoçikletave, u rrit për 9.18 për qind krahasuar me muajin maj të vitit 2025.

Rritjen më të lartë e shënoi tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara, me 22.99 për qind. Pas saj renditet tregtia jashtë dyqaneve, përmes tezgave, tregjeve, postës ose internetit, me rritje prej 19.93 për qind.

ASK njofton se gjatë së njëjtës periudhë është rritur edhe numri i të punësuarve në sektorin e tregtisë me pakicë, me 2.91 për qind në krahasim me majin e vitit të kaluar.

Rritja më e madhe e punësimit u regjistrua në tregtinë me pakicë të produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara, me 10.36 për qind, e ndjekur nga tregtia jashtë dyqaneve dhe përmes internetit me 7.79 për qind, tregtia e pajisjeve informatike dhe të komunikimit me 7.33 për qind, tregtia e pajisjeve të tjera shtëpiake me 7.02 për qind, tregtia në dyqane jo të specializuara me 3.55 për qind dhe tregtia e mallrave të tjera në dyqane të specializuara me 1.95 për qind.

Sipas ASK-së, rritje ka shënuar edhe fondi i pagave dhe mëditjeve në këtë sektor, i cili në maj ishte 16.26 për qind më i lartë se në të njëjtin muaj të vitit 2025.

Në këtë tregues, rritjen më të madhe e kishte tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara, me 27.72 për qind. Pasojnë tregtia e pajisjeve të tjera shtëpiake me 23.23 për qind, tregtia e pajisjeve informatike dhe të komunikimit me 20.20 për qind, tregtia jashtë dyqaneve dhe përmes internetit me 16.58 për qind, tregtia e mallrave të tjera në dyqane të specializuara me 16.22 për qind, tregtia në dyqane jo të specializuara me 15.83 për qind dhe tregtia e mallrave kulturore dhe të argëtimit me 12.29 për qind.

Komento: