Muja nesër në Istog pas dëmeve nga breshri: Do t’i takoj fermerët dhe do të koordinojmë hapat e mëtejmë

22:15 | 20 Korrik 2026
muja-neser-ne-istog-pas-demeve-nga-breshri:-do-t’i-takoj-fermeret-dhe-do-te-koordinojme-hapat-e-metejme

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka reaguar pas dëmeve të shkaktuara nga stuhia e shiut dhe breshrit në komunën e Istogut, duke paralajmëruar vizitë në zonat e prekura.

Përmes një njoftimi, Muja bëri të ditur se të martën do të vizitojë fermerët e prekur në Istog, ndërsa, sipas nevojës, do të shkojë edhe në komuna të tjera që janë goditur nga moti i ligë.

“Nesër do të vizitoj fermerët e prekur nga breshëri në Komunën e Istogut dhe, sipas nevojës, edhe në komuna të tjera të prekura”, ka shkruar Muja.

Ai tha se qëllimi i vizitës është të vlerësojë nga afër situatën në terren, të dëgjojë shqetësimet e fermerëve dhe të koordinojë hapat e mëtejmë me autoritetet lokale.

“Qëllimi i vizitës është të shoh nga afër gjendjen në terren, të dëgjoj shqetësimet e fermerëve dhe të koordinojmë hapat e mëtejmë me autoritetet lokale”, ka theksuar ministri në detyrë.

Komuna e Istogut u përfshi të hënën nga reshje të dendura shiu dhe breshëri, të cilat shkaktuan dëme të mëdha në kulturat bujqësore dhe ekonomitë familjare.

Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se komisionet për vlerësimin e dëmeve do ta nisin punën nga dita e martë.

Komento: