Deri në 56 mijë pasagjerë në ditë, Shqipëria shënon fluks rekord të sezonit turistik

13:50 | 21 Korrik 2026
deri-ne-56-mije-pasagjere-ne-dite,-shqiperia-shenon-fluks-rekord-te-sezonit-turistik

Autoritetet e Shqipërisë kanë njoftuar se janë duke marrë masa të shtuara për të ofruar siguri për turistët që kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për t’i kaluar pushimet e verës.

Sipas tyre, vetëm përmes linjave ajërore, numri i pasagjerëve që zbresin në Aeroportin e Rinasit ka arritur deri në 56 mijë vetëm brenda një dite.

Për këtë drejtues të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve tjera kanë inspektuar zbatimin e masave për menaxhimin e sezonit turistik.

“Gjatë inspektimit u vlerësua angazhimi maksimal i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe i administratës doganore, të cilët po përballojnë me profesionalizëm përpunimin e rreth 50 000 deri në 56 000 pasagjerëve në ditë, duke garantuar njëkohësisht lëvizjen e shpejtë të qytetarëve dhe turistëve, si dhe standarde të larta sigurie.”, thuhet në njoftim.

Gjatë sezonit turistik, të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në regjim shërbimi 12-orësh, duke rritur me rreth 20% praninë e punonjësve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

“Gjithashtu, është ulur nga 16 në 12 vjeç mosha minimale e përdoruesve të sistemit të kontrollit automatik e-Gate, duke rritur ndjeshëm numrin e pasagjerëve që përpunohen në mënyrë automatike dhe duke shkurtuar kohën e pritjes. Paralelisht, është përmirësuar dhe përditësuar sistemi TIMS, ndërsa janë riparuar ose zëvendësuar me pajisje të reja kompjuterët, lexuesit e dokumenteve dhe pajisje të tjera të kontrollit kufitar, çka ka rritur më tej shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit.”, thuhet tutje.

Krahas menaxhimit të fluksit, sipas njoftimit, vëmendje e veçantë i është kushtuar parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare, me fokus luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm.

Komento: