
Shtatë ditë me radhë, PrizrenFest do të mirëpresë mbi 250 artistë, regjisorë, performerë dhe teknikë artistikë nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të prezantojnë mbi 20 shfaqje, performanca, punëtori dhe aktivitete artistike, duke e bërë këtë edicion më të madhin dhe më ambiciozin që nga themelimi i festivalit, raporton KosovaPress.
Në hapje të këtij festivali, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se Prizrenit s’i duhet shumë skenografi për t’u shndërruar në teatër.
“Prizrenit nuk i duhet shumë skenografi, i mjafton Lumbardhi, kalldërmi, Ura e Gurit. Ky edicion sjell artistë e trupa nga rajoni, Evropa e Amerika e Jugut. Kjo është e veçanta e këtij festivali. Arti nuk pretendon se i ka përgjigjet por e ka vlerën e madhe”, tha ajo.
Ndërsa, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, u shpreh se “PrizrenFest”, është fillimi i një festivali të suksesshëm që tashmë është bërë tradicional.
“Është fillimi i një festivali të suksesshëm që tashmë është bërë tradicional. Ky është një konfirmim se aty ku ka shpirt artistik dhe përkrahje tradicionale, ka sukses. Prizreni po shndërrohet në qytet të kulturës. Jeta kulturore në Prizren po lulëzon prandaj duhet falënderuar të gjithë ata që ky fëstival ka filluar fillimisht si ide, e pastaj të jetë më i mirë se viti paraprak. Formalisht e shpalli të hapur këtë festival”, tha Totaj.
Ndërsa, drejtori artistik i Festivalit “PrizrenFest”, Ardian Morina, tha se 5-vjetorin e këtij festivali po e hapin me një thirrje që këta vetë dalin nga e zakonshmja.
Morina u shpreh se ashtu si moti që ndërron çdo ditë, edhe këta po rriten përditë.
“Sonte në këtë 5-vjetor po e hapim një kapitull të ri, është një thirrje që dalim nga e zakonshmja.. Ashtu si moti që na ndryshon përditë, edhe ne po rritemi përditë. Le ta hapim këtë edicion me një zemër të madhe, me kurajë dhe besim se çdo hap jashtë rehatisë është diçka drejt të një gjëje më të madhe, më të jashtëzakonshme”, tha ai.
Edicioni i pestë u hap me spektaklin ndërkombëtar “Borderless Body”, një performancë magjike e teatrit fizik dhe vallëzimit bashkëkohor, e interpretuar nga 16 performues, të cilët do të ngjiten në një skenë të ndërtuar enkas mbi Lumbardh, duke krijuar një dialog unik mes trupit, ujit, dritës dhe arkitekturës së qytetit.
Me një estetikë spektakolare dhe një gjuhë universale artistike, “Borderless Body” eksploron idenë e kufijve fizikë, emocionalë dhe shoqërorë, duke dëshmuar se arti është hapësira ku kufijtë humbin kuptimin. Nuk është rastësi që kjo performancë u zgjodh edhe për të hapur ceremoninë zyrtare të Kryeqytetit Evropian të Kulturës 2025, në qytetet Gorizia (Itali) dhe Nova Gorica (Slloveni). Tashmë, kjo vepër vjen në Prizren për të inauguruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e festivalit.