
Një peshkatar 61-vjeçar është gjetur i pajetë paraditen e së mërkurës pranë Ishujve të Ksamilit.
Sipas Policisë, rreth orës 11:00 është konstatuar trupi i pajetë i shtetasit me inicialet M.Z., i cili dyshohet se kishte dalë për peshkim. Nga këqyrja paraprake në vendngjarje, dyshohet se 61-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur gjithashtu edhe mjetin lundrues me të cilin ai dyshohet se kishte dalë për peshkim. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.