
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve nga automjetet, pas një hetimi të zhvilluar nga hetuesit e Stacionit Policor në Obiliq.
Sipas Policisë, të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe kanë përdorur vetura me qira për kryerjen e veprave penale.
“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, sot hetuesit e Stacionit Policor të Obiliqit kanë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve nga automjetet. Bazuar në hetimet e deritanishme, personat e arrestuar dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke përdorur vetura me qira për të kryer veprimtarinë kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas hetimeve, të dyshuarit hynin në parkingjet e restoranteve gjatë kohës kur organizoheshin ahengje dhe tubime familjare, ku shënjestronin automjetet e pambyllura.
“Ata dyshohet se kanë hyrë në parkingjet e restoranteve gjatë kohës kur zhvilloheshin ahengje dhe organizime familjare, ku kanë lëvizur nëpër parkingje duke identifikuar automjete të pambyllura, nga ku dyshohet të kenë vjedhur para dhe sende të tjera me vlerë”, njofton Policia.
Policia dyshon se aktiviteti i tyre kriminal nuk është kufizuar vetëm në rajonin e Prishtinës.
“Nga hetimet e zhvilluara deri më tani, ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit nuk kanë vepruar vetëm në rajonin e Prishtinës, por kanë kryer vepra penale të së njëjtës natyrë edhe në rajone të tjera të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Policia bëri të ditur se hetimet po vazhdojnë në koordinim me njësitë hetimore të të gjitha rajoneve të Kosovës dhe me Prokurorinë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rasteve.
Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre po vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.