Shkrihet akulli 4-vjeçar SBASHK-MASHT, Jasharaj shkon te Çeku

17:30 | 22 Korrik 2026
shkrihet-akulli-4-vjecar-sbashk-masht,-jasharaj-shkon-te-ceku

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj ka bërë të ditur se u takua sot me ministrin në detyrë të arsimit, Hajrulla Çeku.

Në këtë takim mes SBASHK-ut dhe MASHT-it, që mungoi për 4 vjet, sipas tij, ubisedua për kontratat e punës të mësimdhënësve. Kjo, derisa ministri kishte bërë të ditur se po punohet një plan strategjik për arsimin në Kosovë.

“Takimi ishte konstruktiv dhe ishte pas një kohe shumë të gjatë që nuk kishim takime, kjo jep shpresë se në të ardhmen do të kemi takime të radhës dhe do të bisedojmë me ministrin për shumë çështje. Ministri na informoi se është duke u përgatitur plani strategjik i arsimit të Kosovës. Biseduam për kontratat e punës, të cilat në disa komuna janë shpërndarë dhe ne kemi thënë se jemi kundër një shpërndarje të tillë, kontrata të punës kanë mësimdhënësit dhe nuk ju duhen të tjera”, tha Jasharaj.

Ministri në detyrë i arsimit, kishte kërkuar në këtë takim nga SBASHK-u që të përfshihet në të gjitha aktivitetet në shërbim të arsimit, gjë që u konfirmua nga ana e Jasharajt.

“Ministri Çeku kërkoi që ne të angazhohemi dh etë jemi të përfshirë në të gjitha aktivitet në shërbim të arsimit, gjë të cilën ne e thamë se do të jemi kudo që kërkohet angazhimi ynë. Ai premtoi se do të vazhdojmë me dialogun dhe takime edhe me Këshillin e prindërve, drejtori arsimore dhe të tjerët. Kur ka dialog nuk ka arsyeje për mjete të tjera sindikale”, tha ai.

Tutje,Jasharaj e përgëzoi ministrin Çeku për pritjen e qasjen, që tha se ishte më e lehtë se me paraardhësen e tij, Arbërie Nagavcin.

“Po patjetër, një qasje më e lehtë dhe një prirje për dialog, nga përshtypja që fitova sot. Ishte shumë korrekt, mikpritës dhe pas një kohe kaq të gjatë ky takim u bë që të ndjehemi mirë sepse ne jemi gjithmonë për dialog dhe urojmë që të vazhdohet kështu”, shtoi ai.

Bashkë me Jasharajn në takim ishte edhe nënkryetari Ymer Ymeri.

Komento: