AKK: Projektligji për Pronën Publike cenon autonominë e komunave dhe rrit centralizimin

11:25 | 23 Korrik 2026
akk:-projektligji-per-pronen-publike-cenon-autonomine-e-komunave-dhe-rrit-centralizimin

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me Projektligjin për Pronën Publike, duke vlerësuar se ai paraqet një tendencë shqetësuese të centralizimit të kompetencave dhe cenon autonominë e komunave në menaxhimin e pronës së tyre.

Sipas AKK-së, projektligji bie në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, konkretisht me nenin 14, i cili garanton të drejtën e komunave për të poseduar, administruar dhe menaxhuar pronën e luajtshme dhe të paluajtshme. Po ashtu, sipas tyre, ai nuk është në përputhje me parimet e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, e cila garanton autonominë dhe mbrojtjen e kompetencave të pushtetit lokal.

Në reagimin e saj, AKK thekson se dispozitat e propozuara mund të kufizojnë kompetencat e komunave për administrimin e pronës komunale, ndërsa i japin nivelit qendror kontroll më të madh mbi asetet që shërbejnë për zhvillimin lokal.

Asociacioni e lidh këtë projektligj edhe me vendimet e mëhershme të nivelit qendror, duke kujtuar se komunat, sipas tyre, janë përballur me pasoja të rënda financiare nga vendime që u kanë kushtuar buxheteve komunale qindra miliona euro, duke kufizuar investimet kapitale dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Sipas AKK-së, prona komunale është një ndër instrumentet kryesore për zhvillimin ekonomik lokal, pasi përmes saj planifikohen zhvillimi urban, krijimi i zonave ekonomike, tërheqja e investimeve, ndërtimi i shkollave, çerdheve, qendrave shëndetësore, rrugëve dhe objekteve sportive e kulturore.

“Kufizimi i kompetencave mbi pronën komunale nënkupton kufizim të drejtpërdrejtë të zhvillimit ekonomik lokal dhe të mundësive për krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Në fund, Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos e procedojë projektligjin për miratim pa zhvilluar një dialog të mirëfilltë me komunat dhe pa e harmonizuar atë me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

Sipas AKK-së, autonomia lokale është garanci kushtetuese për qytetarët dhe mbrojtja e pronës komunale është mbrojtje e decentralizimit, zhvillimit ekonomik lokal dhe funksionimit demokratik të shtetit./Gazeta10

Komento: