
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka njoftuar se prania e KFOR-it në Kosovë do të optimizohet si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të gjendjes së sigurisë.
Ai këto deklarata i dha pas takimit të tij sot në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Miklan Mojsilloviq.
Komandanti i KFOR-it tha se optimizimi do të ngjajë në përputhje me kushtet në terren, dhe mund të zhbëhet nëse situata e sigurisë kërkon një gjë të tillë.
“Si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe gradualisht do të përshtatë numrin aktual të trupave gjatë vitit të ardhshëm. Ky optimizim do të bëhet gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren, ndërsa mund të zhbëhet nëse situata e sigurisë e kërkon një gjë të tillë. Në vitin 2023, ne treguam sa të aftë jemi për ta përforcuar misionin kur është e nevojshme. Në atë kohë, KFOR-i u përforcua me më shumë se 1.000 trupa për t’iu përgjigjur një mjedisi më sfidues”, deklaroi Ulutash.
Komandanti i KFOR-it tha se sot, se përkushtimi i misionit për një siguri të qëndrueshme për të gjithë në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal mbetet i palëkundur.