Edhe 2 muaj paraburgim të dyshuarit për tentimvrasjen e një 16 vjeçareje në Vushtrri

18:20 | 23 Korrik 2026
edhe-2-muaj-paraburgim-te-dyshuarit-per-tentimvrasjen-e-nje-16-vjecareje-ne-vushtrri

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Sh.B., i akuzuar për tentimvrasjen e 16-vjeçares në Vushtrri, më 27 nëntor 2025.

Lajmi është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj.

Sipas saj, Departamenti për Krime të Rënda ka marrë aktvendim që masa e paraburgimit të vazhdohet nga 19 korriku deri më 19 shtator 2026.

Sh.B. akuzohet për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda kishte ngritur aktakuzë më 16 shkurt 2026 ndaj tij për tri veprat e lartpërmendura.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 27.11.2025 në oborrin e shtëpisë së Sh.B. në Vushtrri, ku ai dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të dy personave.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se pasi të dëmtuarit kishin hyrë në oborrin e tij, kishte shtënë me pushkë gjysmë-automatike në drejtim të tyre, duke e plagosur 16-vjeçaren E.V. në regjionin e shpatullës së majtë.

“Me pushkën e tij gjysmë-automatike ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve, me ç’rast është plagosur e mitura E.V., në regjionin e shpatullës së majtë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Si pasojë e të shtënave, nga predhat ishte dëmtuar një automjet në pronësi të I.B., si dhe një dritare e banesës së pronarit L.Sh.

Komento: