Nesër i jepet lamtumira e fundit Shpend Hasanramajt, që dyshohet se u vra aksidentalisht nga djali i tij

09:00 | 24 Korrik 2026
neser-i-jepet-lamtumira-e-fundit-shpend-hasanramajt,-qe-dyshohet-se-u-vra-aksidentalisht-nga-djali-i-tij

Shpend Hasanramajt do t’i jepet nesër (25 korrik) lamtumira e fundit, pasi humbi jetën të enjten në një ngjarje tragjike në Bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit.

Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit do të mbahet të shtunën, në orën 13:00, në varrezat e fshatit Strellc i Epërm, pranë xhamisë.

“Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenetin Firdeus. Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë bashkëfshatarëve”, thuhet në njoftimin mortor.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka arrestuar si të dyshuar djalin e viktimës, Erdonit Hasanramaj.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar se gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar edhe një armë zjarri.

Rrethanat e ngjarjes janë ende duke u hetuar nga organet kompetente, ndërsa sipas dyshimeve fillestare, Shpend Hasanramaj ka humbur jetën pasi është qëlluar aksidentalisht nga djali i tij gjatë qëndrimit në bjeshkë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

Komento: