
Një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në bjeshkën e Strellcit, në komunën e Deçanit, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar lidhur me rastin.
Sipas njoftimit të policisë, rasti është raportuar më 23 korrik, pasi një person u gjet pa shenja jete në oborrin e një stani. Njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka sekuestruar një armë zjarri, një karikator të zbrazët dhe 24 fishekë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën hetimore.
Hetimet po zhvillohen nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit. Rasti është iniciuar si vepër penale “vrasje nga pakujdesia”.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.