
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka shprehur trishtim të thellë pas sulmit të mbrëmshëm në Berlin, ku një grua vdiq dhe disa të tjerë u lënduan, pasi një person hyri me automjet në turmën e marshuesve në paradën e Krenarisë.
Përmes një postimi në “X” Konjufca u shpreh se në shoqëri nuk duhet të ketë vend për dhunë.
“Thellësisht i trishtuar nga sulmi i tmerrshëm në Berlin.
Ngushëllimet e mia më të thella shkojnë për familjen e viktimës dhe u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë të gjithë të plagosurve.
Nuk mund të ketë vend për urrejtje apo dhunë ekstremiste në shoqëritë tona. Akte të tilla godasin lirinë dhe hapjen nga të cilat varen shoqëritë demokratike.
Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj të plotë me Gjermaninë dhe qëndron fort pranë popullit gjerman në këtë moment të vështirë” shkroi Konjufca.