Vdekja e punëtorit nga rrëzimi i vinçit, Inspektoriati Qendror thotë se vendpunishtja nuk ishte inspektuar më parë

18:25 | 28 Korrik 2026
vdekja-e-punetorit-nga-rrezimi-i-vincit,-inspektoriati-qendror-thote-se-vendpunishtja-nuk-ishte-inspektuar-me-pare

Inspektorati Qendror i Punës ka dalë me një reagim pas aksidentit të rëndë në një vendpunishte në Prishtinë, ku si pasojë e rënies së një vinçi një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër punëtor ka pësuar lëndime trupore.

Sipas njoftimit të Inspektoratit, aksidenti ka ndodhur gjatë montimit të një vinçi.

“Si pasojë e aksidentit, dy punëtorë kanë pësuar aksident, ku njëri prej tyre ka humbur jetën, ndërsa tjetri ka pësuar lëndime trupore”, thuhet në njoftim.

Inspektorati ka bërë të ditur se subjekti në fjalë nuk ka qenë i inspektuar më parë nga Inspektorati Qendror i Punës, pasi punimet kanë qenë në fazën fillestare të ndërtimit, përkatësisht në realizimin e themeleve.

Lidhur me shkakun e aksidentit, Inspektorati ka deklaruar se në këtë fazë është herët të nxirren konstatime përfundimtare, pasi nevojiten hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar rrethanat e plota, shkakun e aksidentit dhe përgjegjësitë eventuale për zbatimin e masave të sigurisë në punë.

Inspektorët e Punës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë veprimet inspektuese në koordinim me institucionet kompetente.

Komento: