Kryeqyteti shpreh ngushëllime pas aksidentit tragjik në vendpunishte, një punëtor humb jetën

19:20 | 28 Korrik 2026
kryeqyteti-shpreh-ngushellime-pas-aksidentit-tragjik-ne-vendpunishte,-nje-punetor-humb-jeten

Kryeqyteti ka shprehur pikëllimin e thellë pas aksidentit tragjik të ndodhur sot në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë, ku si pasojë e rrëzimit të një kranoje një punëtor ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar rëndë.

Sipas njoftimit të Kryeqytetit, punëtori i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku, sipas informatave nga ekipet mjekësore, ndodhet në gjendje të rëndë, por stabile.

Në emër të Kryeqytetit janë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe të afërmit e viktimës, ndërsa është uruar shërim i shpejtë për të lënduarin.

Pas marrjes së informatës për aksidentin, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet emergjente, përfshirë Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit, Policinë e Kryeqytetit, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, ekipet e Urgjencës Mjekësore dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca.

Sipas Kryeqytetit, ekipet kanë vepruar me profesionalizëm dhe koordinim të plotë, duke bërë përpjekje për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin e zonës së aksidentit.

Ndërkohë, për shkaqet dhe rrethanat e aksidentit kanë nisur hetimet. Sipas Policisë së Kosovës, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit.

Kryeqyteti ka bërë thirrje për respektim të rreptë të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë në vendpunishtet ndërtimore, me qëllim parandalimin e rasteve të ngjashme tragjike.

Komento: