Sot ka kufizime për transportuesit e mallrave mbi 20 tonë, Ministria ka një kërkesë për operatorët

08:45 | 29 Korrik 2026
sot-ka-kufizime-per-transportuesit-e-mallrave-mbi-20-tone,-ministria-ka-nje-kerkese-per-operatoret

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e sotme, do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

Sipas MIT-së, në autoudhë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë.

Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi lejohet pa kufizime.

Nga kufizimi përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

“Lusim operatorët dhe ngasësit që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar” deklaron Ministria.

Komento: