Tjetër aksident me fatalitet në vendin e punës, çka dihet deri më tani për rastin në Prishtinë

10:34 | 29 Korrik 2026

Një tjetër aksident tragjik ka ndodhur të martën në një vendpunishte. Një person ka vdekur e një tjetër është lënduar si pasojë e rrëzimit të një vinçi në Prishtinë.

Fillimisht ishte raportuar se dy persona kishin pësuar lëndime, por më pas Policia e Kosovës konfirmoi se njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Tre persona janë ndaluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të martën lidhur me rrëzimin e vinçit në një vendpunishte në Prishtinë, aksident në të cilin humbi jetën një punëtor 26-vjeçar, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar.

Sipas Prokurorisë, të ndaluarit janë A.Sh., i dyshuar për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe B.S., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë ndërtuese, dhe E.E., në cilësinë e personit të kompanisë investuese të projektit, të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Prokuroria ka njoftuar se është informuar për aksidentin më 28 korrik, rreth orës 15:00, ndërsa menjëherë pas pranimit të informatës, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, Njësinë Rajonale të Hetimeve dhe Inspektoratin e Punës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë angazhuar ekspertë të pavarur të sigurisë në punë dhe një ekspert i inxhinierisë mekanike. Po ashtu, në vendin e ngjarjes janë siguruar prova materiale, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësia e forenzikës.

“Ndërkohë janë intervistuar dëshmitarët okularë dhe personi i lënduar, i cili po vazhdon trajtimin mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Si pasojë e aksidentit, jetën e humbi E.Sh., ndërsa një person tjetër pësoi lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftim.

Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se vinçi ishte duke u montuar në momentin kur ndodhi aksidenti dhe i përkiste kompanisë “Vëllezërit Asllani”. Sipas Inspektoratit, pajisja nuk ishte inspektuar më parë, pasi punimet në atë lokacion ndodheshin ende në fazën fillestare të ndërtimit.

“Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, ka bërë të ditur Inspektorati.

Pas aksidentit kanë reaguar edhe institucionet lokale. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe ka kërkuar që siguria në vendet e punës të jetë prioritet.

“Humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi që duhet të na rikujtojë të gjithëve se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm dhe standard që respektohet në çdo vendpunishte”, ka deklaruar Rama.

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se në operacionin e reagimit janë përfshirë ekipet e zjarrfikësve, policisë, urgjencës mjekësore dhe Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, duke vlerësuar profesionalizmin e tyre.

Ndërkohë, ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka kërkuar llogaridhënie nga Komuna e Prishtinës, duke thënë se përgjegjësia për mbikëqyrjen e sigurisë bie mbi institucionet përgjegjëse lokale.

“Këto dështime të njëpasnjëshme të nivelit lokal kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme”, ka shkruar Pacolli.

Komento: