
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka nënshkruar kontratë me negocim, në vlerë prej 103 mijë euro me shtëpinë botuese “Dukagjini” për furnizimin me tekste shkollore për nxënësit e diasporës për vitin shkollor 2026/2027.
Kontrata ka të bëjë me blerjen e teksteve për nivelin e parë (I), të dytë (II) dhe të tretë (III), duke përfshirë edhe abetaren me fletore pune. Për këtë tender ishte paraparë një fond prej 120 mijë euro, ndërsa kontrata u lidh për 103 mijë euro.
Ajo që bie në sy është se procedura është zhvilluar përmes negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, një metodë e prokurimit që përdoret vetëm në rrethana të përcaktuara me ligj. Sipas dokumenteve të prokurimit, MASHTI ka zgjedhur pikërisht këtë procedurë për dhënien e kontratës.

Sipas dokumenteve të publikuara në platformën e prokurimit publik, kontrata është nënshkruar me Shtëpinë Botuese “Dukagjini” për furnizimin e teksteve të destinuara për nxënësit që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë.
