BE i reagon Vuçiqit pas deklaratave për Kosovën

17:10 | 29 Korrik 2026
be-i-reagon-vuciqit-pas-deklaratave-per-kosoven

Bashkimi Evropian (BE) bëri thirrje që të shmangen deklaratat që nuk ndihmojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke theksuar se dialogu është e vetmja rrugë drejt përparimit në rrugën evropiane.

“Vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në këtë qëllim”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën.

“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të bëjnë përparim në rrugën e tyre evropiane”, tha zëdhënësi i BE-së.

Vuçiq më 25 korrik, gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve më të rinj të Ushtrisë së Serbisë në Beograd, deklaroi se forcimi i ushtrisë, ruajtja e neutralitetit ushtarak dhe mbrojtja e integritetit territorial janë ndër prioritetet kryesore shtetërore të Serbisë.

Duke iu drejtuar oficerëve të rinj, Vuçiq tha se betimi që ata kanë bërë i obligon të respektojnë Kushtetutën e Serbisë dhe të mbrojnë integritetin territorial të vendit. Ai shtoi se si ata, ashtu edhe udhëheqja shtetërore, do të përballen me presione të ndryshme, por se ruajtja e integritetit territorial ka rëndësi parësore.

Ai përsëriti qëndrimin zyrtar të Beogradit se “Kosova është pjesë e Serbisë”, duke iu referuar Kushtetutës së Serbisë dhe, siç u shpreh ai, “drejtësisë së Zotit”./GE

Komento: