Gërmimet në Zubin Potok, mes shpresës dhe dhimbjes, familjarja e kirurgut Adem Ademi pret zbardhjen e fatit të tij

19:10 | 29 Korrik 2026
germimet-ne-zubin-potok,-mes-shpreses-dhe-dhimbjes,-familjarja-e-kirurgut-adem-ademi-pret-zbardhjen-e-fatit-te-tij

Gërmimet që po zhvillohen në zonën e Kalludrës, në komunën e Zubin Potokut, kanë rikthyer shpresën dhe ankthin te familjarët e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Mes tyre është edhe motra e të zhdukurit kirurgut Adem Ademi, LutfijeAdemi-Vokshi, e cila në një rrëfim për emisionin Gazeta të Kanal 10 tha se po përjeton ditë të vështira, mes shpresës për të mësuar të vërtetën dhe dhimbjes që e ka shoqëruar për më shumë se dy dekada.

Ajo shprehet se pritshmëritë e saj nga ky gjurmim janë të mëdha, pasi beson se vendi ku po zhvillohen gërmimet mund të japë përgjigje për fatin e vëllait të saj dhe të grupit të intelektualëve të zhdukur.

“Nuk e di cila ditë është më e rëndë se tjetra. Ndjenjat janë të përziera. Ndonjëherë mendoj dhe them, fatbardhësisht le të jetë aty, qind për qind me grupin e intelektualëve në këtë gërmim. Pastaj e bind veten se ndoshta është aty. Kam dhimbje, kam mërzi. Mendoj se deri këtu e paska pasur puna e tij. Dua vetëm ta di nëse është gjallë apo i vdekur”, rrëfen ajo për Kanal 10.

Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të dyshuarve, M.J. dhe M.B., të cilët po hetohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Ndërkaq Burime të Kanal10 theksojnë se ekziston dyshimi fillestar se mbetjet mortore mund t’u përkasin 23 intelektualëve shqiptarë nga rajoni i Drenicës dhe Mitrovicës të zhdukur gjatë periudhës së bombardimeve në luftën e Kosovës.

Komento: