Reijnders mund ta mbyllë aventurën te City pas vetëm një sezoni, Galatasaray në garë për transferimin e tij

23:15 | 29 Korrik 2026

Tijjani Reijnders mund të largohet nga Manchester City pas vetëm një sezoni të kaluar në stadiumin “Etihad”.

Mesfushori holandez, i cili iu bashkua kampionëve të Anglisë nga Milani, është një nga emrat që pritet të jetë në qendër të lëvizjeve gjatë afatit kalimtar të verës.

“Citizens” e transferuan Reijndersin për 55 milionë euro, plus edhe 15 milionë euro të tjera në formë bonusesh, pas paraqitjeve mbresëlënëse që ai zhvilloi me fanellën e Milanit.

Megjithatë, sipas raportimeve të fundit, e ardhmja e tij në klubin anglez nuk konsiderohet më aq e sigurt. Veçanërisht pas largimit të trajnerit Pep Guardiola, mediat italiane raportojnë se një largim i mundshëm i holandezit pas vetëm një viti nuk përjashtohet, transmeton “Gazeta Express”.

Milani e kishte konsideruar shitjen e tij si një operacion të rëndësishëm financiar, ndonëse shumëkush vlerësoi se mesfushori u largua për një shumë më të ulët sesa vlera e tij reale në treg.

Tashmë mbetet të shihet nëse Reijnders do ta vazhdojë karrierën në Premierligë apo do të bëhet një nga surprizat më të mëdha të merkatos verore.

Mesfushori holandez feston sot ditëlindjen e 28-të, por ende nuk e di se me cilën skuadër do të luajë në sezonin 2026/27.

Interesim për shërbimet e tij kanë shfaqur disa klube, ndërsa thuhet se Galatasaray është skuadra më e vendosur për ta transferuar mesfushorin kreativ në Turqi.

Komento: