Asamblistë të VV i drejtohen PSRK’së, thonë se kanë marrë një “e mail anonim” që e implikon një “zyrtar të kabinetit të Ramës”

11:25 | 30 Korrik 2026
asambliste-te-vv-i-drejtohen-psrk’se,-thone-se-kane-marre-nje-“e-mail-anonim”-qe-e-implikon-nje-“zyrtar-te-kabinetit-te-rames”

LVV ka dorëzuar ditën e sotme një kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, dhe zyrtarëve të kabinetit të tij.

Kështu është thënë nga një grup i asamblistëve të VV’së, të cilët thanë se këtë kallëzim e kanë bërë duke e u bazuar në një sinjalizim anonim që sipas tyre, është pranuar të mërkurën në mbrëmje.

Berita Abazi, asambliste e VV’së, ka deklaruar se sinjalizimi përmban mesazhe ‘’ mesazhe të shumta që flasin për legalizime të jashtëligjshme dhe shuma të mëdha parash’’.

“Ne sot jemi këtu para Prokurorisë Speciale për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj zyrtarëve të lartë të kabinetit të kryetarit Përprim Rama dhe vetë Përparim Ramës, për shkak të një sinjalizimi të cilin e kemi pranuar mbrëmë pasdite nga një sinjalizues anonim. Kemi pranuar një email ku kemi parë mesazhe të shumta që flasin për legalizime të jashtëligjshme dhe shuma të mëdha parash. Në këto mesazhe, personi që komunikon me një person tjetër anonim është pikërisht shefi i kabinetit të kryetarit Përparim Rama. Në këto biseda përmenden kompani ndërtimi, objekte ndërtimi dhe shuma parash, ndërsa pretendohet se këto legalizime janë tërësisht të jashtëligjshme’’, ka thënë ajo.

Tutje, Abazi e VV’së, i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të nisë hetime për të verifikuar vërtetësinë e pretendimeve të paraqitura në kallëzimin penal.

“Marrë parasysh rëndësinë e këtij sinjalizimi, sot po dorëzojmë zyrtarisht kallëzimin penal dhe po kërkojmë nga Prokuroria Speciale hetim të menjëhershëm. Për ne, ky është një skandal i madh dhe është detyrë e prokurorisë që të hetojë dhe të vërtetojë nëse këto pretendime të sinjalizuesit janë të vërteta. Është detyrë e Prokurorisë që ta hetojë dhe ta vërtetojë nëse këto pretendime janë të vërteta. Ajo çka është shqetësuese është fakti se flitet për ndërtues e objekte që janë leht të vërifikueshme, pra ka bazë të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës ndaj kryetarit dhe ndaj zyrtarëve të lartë të kabinetit të Përparim Ramës”, ka thënë ajo.

Komento: