Konjufca: Historia e mërgatës shqiptare është histori e dhunës dhe dëbimit

15:45 | 30 Korrik 2026
konjufca:-historia-e-mergates-shqiptare-eshte-histori-e-dhunes-dhe-debimit

Bashkësia Islame e Kosovës ka organizuar sot një takim-drekë pune me imamë, kryetarë të xhamive, përfaqësues të komunitetit, xhemat dhe aktivistë të saj në diasporë.

Në këtë takim, i cili u mbajt në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë, mori pjesë edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Konjufca ka thënë se mërgata shqiptare dallon nga mërgatat e vendeve të tjera, pasi sipas tij, ajo është krijuar kryesisht si pasojë e rrethanave të vështira politike dhe historike.
Ai ka theksuar se pjesa më e madhe e mërgatës shqiptare është krijuar gjatë periudhave të okupimit dhe shtypjes.

“Populli shqiptar e ka mërgatën prej rrethanave, prej kushteve shumë të vështira. Mbi të gjitha, pjesa më e madhe e mërgatës sonë është gjatë kohës së okupimit, kur populli ynë është shtypur me dhunë, me mizori, me krime”, ka thënë ai.

Drejtori i Drejtorisë për Diasporë në Bashkësinë Islame të Kosovës, Ekrem Simnica, ka vlerësuar lart kontributin e mërgatës shqiptare, duke e cilësuar atë si ambasadoren më të mirë të popullit dhe fesë islame.
Në takimin e organizuar nga BIK-u me imamë, kryetarë xhamish, përfaqësues dhe aktivistë të diasporës, Simnica tha se mërgata ka luajtur rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar e fetar.

Ai theksoi se kontributi i diasporës nuk kufizohet vetëm në vendet ku jetojnë mërgimtarët, por është shtrirë vazhdimisht edhe në Kosovë.

“Ju keni qenë gjithmonë pranë familjeve tuaja, pranë vendlindjes, pranë shtetit të Kosovës dhe pranë Bashkësisë Islame të Kosovës. Në momentet më të vështira dhe në ditët më të mira, dora dhe zemra juaj kanë qenë gjithmonë hapur”, u shpreh ai.

Komento: