Pas rikonfirmimit në krye të LDK-së, Abdixhiku heq pezullimin e negociatave me VV-në

23:27 | 30 Korrik 2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij do të rifillojë diskutimet për formimin e institucioneve me Lëvizjen Vetëvendosje, pas përfundimit të procesit të brendshëm zgjedhor.

Në konferencën pas rikonfirmimit të tij në krye të LDK-së, Abdixhiku tha se nga ky moment hiqet pezullimi i bisedimeve dhe partia është e gatshme të vazhdojë dialogun për çështjet institucionale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Prej këtij momenti, unë heq atë çështjen e pezullimit të diskutimeve dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë për çështjen e institucioneve”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai theksoi se deri tani palët kanë zhvilluar vetëm një takim dhe se çështjet si pozitat shtetërore apo ndarja e dikastereve nuk janë diskutuar.

“Ende nuk kemi mbërritur aty. Siç e dini, kemi pasur vetëm një takim dhe në atë takim nuk janë folur as presidenti, as ndarjet pozicionale. Lajmet e bëra publike për ndarje të ministrive nuk janë të vërteta”, tha ai.

Abdixhiku bëri të ditur se çdo marrëveshje e mundshme duhet të bazohet në parime, duke theksuar se LDK-ja nuk do të pranojë një situatë ku të gjitha pozitat kryesore shtetërore i takojnë vetëm një partie.

“LDK-ja nuk mund të pranojë asnjë marrëveshje në të cilën nuk sigurojmë demokraci funksionale në Republikën e Kosovës, ku pozitat kryesore shtetërore nuk i takojnë një partie të vetme”, u shpreh ai.

Ai shtoi se vendimi i Kuvendit të LDK-së për stabilitet institucional duhet të respektohet nga deputetët e partisë.

“Për aq sa janë në LDK, duhet dhe do të respektojnë këtë vendim të Kuvendit të LDK-së, përndryshe nuk ka kuptim as demokracia, as organizimi partiak”, deklaroi Abdixhiku.

Duke folur për rezultatin e votimit në Kuvendin e jashtëzakonshëm, Abdixhiku tha se fitorja e tij është rezultat i vullnetit të delegatëve.

“Delegatët tanë, anëtarësia jonë vendosi me votë të lirë dhe të qartë”, tha ai.

Në votimin për shkarkimin e tij, 170 delegatë votuan kundër shkarkimit të Abdixhikut, 152 pro, ndërsa pesë abstenuan, duke bërë që ai të vazhdojë mandatin si kryetar i LDK-së.

Komento: