
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka reaguar publikisht ndaj planifikimit buxhetor për vitet 2027–2029, duke paralajmëruar se, sipas dokumenteve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, institucionit i është planifikuar buxhet zero.
Në një adresim publik, rektori prof. dr. Agron Bajraktari e cilësoi situatën si sfidën më serioze që nga themelimi i universitetit, duke theksuar se një planifikim i tillë do të rrezikonte funksionimin e universitetit, vendet e punës të stafit akademik e administrativ, si dhe të drejtën e studimit për mbi 2 mijë studentë.
Ai vlerësoi se USHAF-ja është universiteti i vetëm publik i shkencave të aplikuara në Kosovë, duke përmendur si arritje akreditimin institucional pesëvjeçar, projektet ndërkombëtare, bashkëpunimin me industrinë dhe rritjen e vazhdueshme të interesimit të studentëve.
Bajraktari u bëri thirrje institucioneve shtetërore që ta rishqyrtojnë këtë çështje, ndërsa theksoi se universiteti do të përdorë të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore për të mbrojtur funksionimin e tij.
“Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj nuk do të mbyllet”, thuhet në mesazhin përmbyllës të adresimit, duke ftuar studentët, profesorët, bizneset dhe qytetarët të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të institucionit.