
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit fizik, zyrtarët identifikuan një hapësirë të kamufluar në shkallët e autobusit. Në këtë hapësirë u gjetën disa pako të fshehura, të cilat në shikim të parë dyshohej se përmbanin çaj. Pas verifikimit, u konstatua se ato përmbanin medikamente të padeklaruara.
Vlera e përafërt e mallit të zbuluar llogaritet rreth 6 mijë euro.
Para kontrollit, drejtuesi i autobusit kishte deklaruar para autoriteteve doganore se nuk posedonte mallra për deklarim. Megjithatë, zbulimi i medikamenteve të fshehura përbën kundërvajtje doganore, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave të Republikës së Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
Pas zbulimit të rastit, autobusi u dërgua në terminalin doganor për kontroll të detajuar, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ndërsa autoritetet ndërmorën veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës rikujtoi se importi i medikamenteve i nënshtrohet kërkesave të veçanta ligjore dhe se çdo tentim për fshehje ose mosdeklarim të mallrave cenon sigurinë e zinxhirit të furnizimit, konkurrencën e ndershme dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Institucioni theksoi se mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve përmes kontrolleve efektive në pikat kufitare.