
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është gjetur edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë, këtë herë në fshatin Jabukë të komunës së Zubin-Potokut.
Sipas tij, zbulimi vjen vetëm rreth 10 kilometra larg lokacionit në Kalludër, ku tashmë po vazhdojnë kërkimet pas gjetjes së një varri tjetër masiv.
Sveçla ka falënderuar Policinë e Kosovës, njësitë për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë për angazhimin në hulumtimin, hetimin dhe identifikimin e këtyre lokacioneve.
Në reagimin e tij, ai ka akuzuar Serbinë se vazhdon të refuzojë dhënien e informacioneve për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, ndërsa ka pretenduar se autoritetet serbe ushtrojnë presion ndaj qytetarëve që bashkëpunojnë për zbulimin e varreve masive.
Ministri në detyrë ka bërë thirrje edhe për partnerët ndërkombëtarë që, sipas tij, të dënojnë dhe të ndërmarrin masa ndaj Serbisë për këtë qasje, duke vlerësuar se pa një veprim të tillë do të jetë i vështirë avancimi i drejtësisë dhe ruajtja e paqes në Ballkanin Perëndimor.