Haxhiu flet për ftesat që Kurti u ka dërguar partive për takime para 6 gushtit

16:35 | 03 Gusht 2026
haxhiu-flet-per-ftesat-qe-kurti-u-ka-derguar-partive-per-takime-para-6-gushtit

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se tashmë ftesat drejtuar partive politike për takimet e radhës nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë adresuar.

Haxhiu tha se Kurti në vazhdimësi ka bërë përpjekje që të ketë takime në raport me arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e presidentit dhe se sipas saj, këto takime janë e vetmja mundësi për të mbërritur te një marrëveshje e tillë.

“Së pari siç e dini, tashmë ftesat drejtuar partive politike për takime të radhës janë adresuar te të njëjtat. Pra kryeministri Kurti në vazhdimësi ka bërë përpjekje që të ketë takime në raport me arritjen e një marrëveshje për çështjen e presidentit. Unë kam mirëpritur këto takime dhe mendoj që e vetmja mundësi për të mbërritur deri te një marrëveshje janë takimet të cilat ndodhin ndërmjet partive politike. Tani ju e dini që seanca konstituive siç e përmendët është caktuar me datë 6 gusht, edhe presim që para 6 gushtit të ketë takime ndërmjet partive politike dhe në anën tjetër të ketë përpjekje maksimale për ta pasur një marrëveshje që ndërlidhet me çështjen e presidentit. Lëvizja Vetëvendosje siç e keni parë i ka adresuar përgjegjësitë që ka përmes kryetarit dhe kryeministrit Kurti, por presim që edhe partitë e tjera politike të reflektojnë në raport me përgjegjësitë që i kanë”, tha Haxhiu .

E pyetur nëse pret që në rast se një marrëveshje me LDK-në, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ta ketë grupin parlamentar të bashkuar për çështjen e presidentit, Haxhiu tha se është e rëndësishme që të ketë unifikim brenda kuvendit për përgjegjësitë që kanë para qytetarëve.

Ajo tha se e kuptojnë mandatin e lirë të deputetit, por sipas saj, mandati i lirë i deputetit nënkupton që duhet të kontribuojnë në shërbim të konstituimit të Kuvendit.

Kujtojmë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e 11-të, është thirrur më 6 gusht me fillim nga ora 10:00.

Komento: