Prishtina ndalon përdorimin e objekteve pa Certifikatë të Përdorimit, Inspektorati paralajmëron masa të rrepta

22:11 | 03 Gusht 2026

Drejtoria e Inspektoratit e Kryeqytetit ka njoftuar se asnjë objekt nuk do të lejohet të vihet në përdorim pa përfunduar Inspektimin Final dhe pa u pajisur me Certifikatën e Përdorimit, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj të gjithë atyre që shkelin këtë detyrim ligjor.

Sipas njoftimit, vendimi vlen për të gjitha objektet që janë në kompetencë të Inspektoratit të Ndërtimit të Kryeqytetit, përfshirë objektet individuale dhe kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, afariste, industriale, publike dhe objektet e tjera të kategorisë së parë dhe të dytë.

Inspektorati thekson se, në përputhje me Ligjin për Ndërtim, përdorimi i një objekti lejohet vetëm pasi të jetë kryer Inspektimi Final dhe të jetë lëshuar Certifikata e Përdorimit, e cila dëshmon se objekti është ndërtuar sipas lejes ndërtimore, projektit të miratuar dhe standardeve të sigurisë.

Po ashtu, investitorët do të njoftohen individualisht përmes një urdhërese inspektuese, me të cilën do të obligohen të mos i dorëzojnë banesat, lokalet apo hapësirat shfrytëzuesve dhe të mos lejojnë përdorimin e objektit deri në përfundimin e procedurave ligjore.

Drejtoria e Inspektoratit u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të mos pranojnë në dorëzim banesa apo lokale pa Certifikatë të Përdorimit, duke theksuar se një objekt pa këtë dokument nuk është verifikuar zyrtarisht për sigurinë dhe përputhshmërinë me standardet ligjore.

Në rast të shkeljes së këtyre dispozitave, Inspektorati ka paralajmëruar se do të urdhërojë ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të objektit, lirimin e tij deri në pajisjen me certifikatë, shqiptimin e gjobave administrative, si dhe inicimin e procedurave të tjera ligjore.

Sipas Drejtorisë së Inspektoratit, Inspektimi Final dhe Certifikata e Përdorimit nuk janë vetëm formalitete administrative, por mekanizma ligjorë që garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe përdorimin e objekteve në përputhje me ligjin.

Komento: