
Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) dhe Oda e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK) kanë mbështetur nismën e Drejtorisë së Inspektoratit të Kryeqytetit për ndalimin e vënies në përdorim të objekteve pa Inspektim Final dhe Certifikatë të Përdorimit.
Në një reagim të përbashkët, këto dy oda kanë theksuar se siguria e objekteve nuk fillon me certifikatën përfundimtare, por që në fazën e projektimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes profesionale nga persona të licencuar.
Sipas OIRK dhe OARK, ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjitha objektet, qofshin ato publike apo private, pasi siguria e qytetarëve dhe interesi publik nuk bëjnë dallim mes investitorëve.
“Certifikata e Përdorimit nuk është formalitet administrativ, por dëshmi se objekti është realizuar në përputhje me projektin, standardet teknike dhe kërkesat ligjore”, thuhet në reagim.
OIRK dhe OARK kanë kërkuar që institucionet kompetente të forcojnë mbikëqyrjen gjatë gjithë procesit të ndërtimit dhe të sigurojnë respektimin e kërkesave ligjore që nga fillimi i punimeve. /ORAinfo/