E hënë e zezë në rrugët e Shqipërisë: 7 aksidente, 2 viktima dhe 9 të lënduar

08:15 | 04 Gusht 2026
e-hene-e-zeze-ne-rruget-e-shqiperise:-7-aksidente,-2-viktima-dhe-9-te-lenduar

E hëna është shënuar me një bilanc të rëndë aksidentesh në Shqipëri, ku brenda pak orësh janë regjistruar shtatë aksidente rrugore, me pasojë dy viktima dhe nëntë persona të lënduar.

Një nga aksidentet më të rënda ndodhi në aksin Fier-Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën dhe përfunduan në kanalin anësor të autostradës. Si pasojë e përplasjes, katër persona mbetën të lënduar dhe u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit.

Pak minuta më vonë, një aksident zinxhir u regjistrua në autostradën Durrës-Tiranë, pranë Sukthit, ku u përfshinë shtatë automjete. Fatmirësisht, nga ky aksident pati vetëm dëme materiale, megjithëse u krijuan radhë të gjata automjetesh, shkruan Top Channel.

Një tjetër aksident ndodhi rreth orës 13:30 në hyrje të fshatit Stan-Karbunarë, në aksin e vjetër Lushnjë-Berat. Një automjet doli nga kontrolli, u përplas me barrierat e një ure dhe, pas disa rrotullimeve, përfundoi i përmbysur në rrugë. Drejtuesja e mjetit, 28 vjeçe, u dërgua në Spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore.

Në lagjen Sheq i Madh në Fier, drejtuesi i një motomjeti mbeti i lënduar pas përplasjes me një automjet.

Tragjedia më e rëndë u regjistrua në mbrëmje në zonën e Lagunës, në Ksamil. Sipas Policisë, rreth orës 18:10, një automjet tip “Benz”, i drejtuar nga një 22-vjeçar, humbi kontrollin dhe doli nga rruga. Për pasojë humbi jetën në vendngjarje pasagjeri 20-vjeçar, Antonio Mateli, ndërsa drejtuesi i automjetit u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pak pas orës 19:30, tre persona mbetën të lënduar në aksin Elbasan-Cërrik, pas përplasjes mes një automjeti dhe një furgoni.

Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes, një tjetër aksident me pasojë fatale ndodhi në aksin Lezhë-Milot, pranë kryqëzimit të Shënkollit, ku një automjet dyshohet se ka përplasur për vdekje një këmbësor. Policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Komento: