Miratohet Rregullorja për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit

14:10 | 04 Gusht 2026
miratohet-rregullorja-per-transferimin-dhe-avancimin-e-prokuroreve-te-shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar në mbledhjen e së martës Rregulloren për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit.

Paraprakisht, kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi propozoi që tek paragrafi 6 tek kriteret për transferim të përkohshëm dhe të përhershëm të prokurorëve, të merret parasysh edhe numri i madh i lëndëve.

“Nëse ka mundësi te paragrafi 6 te kriteret për transferim të përkohshëm dhe përhershëm, të jetë nëse ka mundësi- të merret parasysh kriteri i numrit të lëndëve. Pra, nëse prokurori është i ngarkum me numër të madh të lëndëve, të merret parasysh. E di që është dashur të bëhet propozimi me shkrim, t’i nënshtrohet diskutimit publik, por e vlerësoj se është i nevojshëm”, tha Gashi.

Në anën tjetër, kryesuesi Arian Gashi tha se janë kritere ligjore dhe nuk mund të dalin jashtë tyre. Ngjashëm theksoi edhe anëtari Visar Krasniqi.

“Krejt këto që janë diskutu sot, janë diskutu te Grupi Punues dhe janë kritere ligjore. E dyta, ka pas raste kur prokuror që u transferu ka lënë shumë lëndë, por Këshilli duhet me pas parasysh pastaj kur nis procesi i transferimit. Andaj, nuk pajtohemi që të këmi këtë propozim”, tha Gashi.

Më pas, u miratua Rregullorja për Transferimin dhe Avancimin Prokurorëve të Shtetit, pa propozimin e Zejnullah Gashit.

Gjithashtu, me propozim të anëtarit Milot Krasniqi u shtua elementi që periudha e transferimit të përkohshëm të jetë maksimumi deri në 1 vit, sikurse e përcakton ligji.

Komento: