Ambasada e SHBA-së: Ngërçi po i kushton Kosovës, institucionet të formohen sipas Kushtetutës

16:50 | 06 Gusht 2026
ambasada-e-shba-se:-ngerci-po-i-kushton-kosoves,-institucionet-te-formohen-sipas-kushtetutes

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka kërkuar nga liderët politikë në Kosovë që të punojnë duke u bazuar në Kushtetutë dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ndërtimin e institucioneve të reja.

Duke alarmuar për mundësitë e humbura, ambasada thekson se ka ardhur koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve.

Në një përgjigje për Express, para nisjes së seancës konstituive, nga kjo ambasadë kanë thënë se udhëheqësit politikë të Kosovës duhet të punojnë së bashku për formimin e institucioneve.

“Udhëheqja politike e Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tij që të përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, theksoi Ambasada,

Afati për konstituim të Kuvendit, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, obligon deputetët që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore. Ky afat përfundon nesër më 7 gusht, në orën 23:59.

Kurti nuk dha shenja se do ta thërrasin vazhdimin e seancës brenda këtij afati, duke thënë se i duhet kohë shtesë për bisedime dhe se “vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e Presidentit, të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera”.

Por, pritshmëri tjera kanë amerikanët nga udhëheqësit politikë kosovarë.

“Qytetarët e Kosovës presin nga udhëheqësit e tyre që ta përmbushin zotimin për të vepruar në interesin më të mirë të vendit. Ky ngërç i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura. Ka ardhur koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha më tej ambasada në përgjigje.

Komento: