Dy të rinj humbin jetën në Zvicër me motoçikletë të vjedhur, po iknin nga Policia

17:45 | 06 Gusht 2026
dy-te-rinj-humbin-jeten-ne-zvicer-me-motociklete-te-vjedhur,-po-iknin-nga-policia

Dy persona, të moshës 25 dhe 26 vjeç, kanë humbur jetën mëngjesin e së enjtes në një aksident të rëndë me motoçikletë në Oberengstringen të kantonit të Cyrihut, në Zvicër.

Sipas autoriteteve zvicerane, aksidenti ndodhi pak para orës 06:00, pasi një patrullë policore vuri re motoçikletën në autostradën.

Shoferi po drejtonte mjetin pa helmetë dhe po kryente parakalime të rrezikshme nga e majta dhe e djathta, ndërsa pasagjeri mbante helmetë.

Policia i bëri thirrje drejtuesit të ndalonte duke përdorur sinjalet emergjente dhe panelin elektronik, por ai nuk iu bind urdhrit dhe vazhdoi lëvizjen në drejtim të Cyrihut, raporton Blick.ch.

Sipas hetimeve paraprake, gjatë hyrjes në zonën e pushimit në Oberengstringen, motoçikleta goditi një pengesë anësore të rrugës, duke bërë që drejtuesi të humbte kontrollin.

Mjeti u përplas fillimisht me një rimorkio kamioni të parkuar dhe më pas rrëshqiti nën një kamion tjetër.

Si pasojë e përplasjes, të dy personat pësuan lëndime fatale dhe vdiqën në vendngjarje.

Autoritetet kanë bërë të ditur se viktimat janë dy shtetas algjerianë. Motoçikleta me të cilën po udhëtonin ishte raportuar e vjedhur gjatë natës në kantonin e Zugut.

Rrethanat e plota të aksidentit janë duke u hetuar nga Policia Kantonale e Cyrihut në bashkëpunim me Prokurorinë.

Komento: