UNICEF: Një fëmijë vritet përditë në Gaza, pavarësisht se ka armëpushim

21:30 | 06 Gusht 2026
unicef:-nje-femije-vritet-perdite-ne-gaza,-pavaresisht-se-ka-armepushim

Sipas UNICEF-it, rreth 300 fëmijë janë vrarë në Rripin e Gazës gjatë afërsisht 300 ditëve që nga shpallja e armëpushimit më 10 tetor 2025, një mesatare prej një fëmije të vrarë çdo ditë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët thekson se qindra të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre me lëndime të rënda, duke paralajmëruar se situata humanitare për fëmijët mbetet alarmante, pavarësisht premtimeve për ndalimin e luftimeve.

Drejtori rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder, deklaroi se një armëpushim gjatë të cilit vazhdon të humbasë jetën mesatarisht një fëmijë në ditë nuk mund të konsiderohet një zgjidhje që mbron fëmijët. Ai u bëri thirrje palëve të përfshira në planin e paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara që t’i shndërrojnë zotimet në veprime konkrete, duke ndalur dhunën dhe duke garantuar qasje të plotë për ndihmat humanitare

Një nga rastet që ka tronditur opinionin publik ishte sulmi i 2 gushtit në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës, ku, sipas raportimeve, humbën jetën një grua shtatzënë, bashkëshorti i saj dhe djali pesëvjeçar. Banorët raportuan se nga rrënojat u nxorën edhe mbetjet e foshnjës së palindur.

UNICEF thekson se mungesa e hapësirave të sigurta për lojë dhe zhvillim po i privon fëmijët nga elementët bazë të fëmijërisë. Vlerësimet e organizatës tregojnë se ndërprerja e arsimit dhe mungesa e aktiviteteve zhvillimore do të kenë pasoja afatgjata në brezin e ri, nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme për rikuperimin e tyre.

Komento: