
Njëri prej të dyshuarve për përfshirje në të shtënat me armë në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, Dukagjin Nikollaj, është ekstraduar nga Spanja në Kosovë.
Në një njoftim të publikuar nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, njoftuan se me datën 06.08.2026 është bërë ekstradimi i shtetasit kosovar nga Spanja për në Kosovë.
“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, thuhet në njoftim.
Sipas PK-së, ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Spanjës.
“I dyshuari pas ekstradimit u është dorëzuar njësive përkatëse të PK-së në Rajonin e Prishtinës për vazhdim me procedurat tjera ligjore”, ka njoftuar policia.