
Një kompani amerikane e naftës, e lidhur me presidentin amerikan, Donald Trump, po përgatitet të nisë shpime për kërkimin e naftës në një zonë të largët të Grenlandës, pavarësisht se ende nuk ka marrë lejen zyrtare nga autoritetet lokale.
Ndërkohë, presidenti amerikan vazhdon të përsërisë kërcënimet për marrjen nën kontroll të këtij territori.
Gjatë ditëve të fundit, në bregun lindor të Grenlandës është transportuar pajisje dhe materiale për përgatitjen e shpimeve. Kjo ka bërë që qeveria e Grenlandës të lëshojë një “paralajmërim të fortë”, pasi leja për shkarkimin e pajisjeve nuk ishte dhënë.
Autoritetet kanë bërë të qartë se çdo çështje e ardhshme logjistike duhet të njoftohet dhe të miratohet paraprakisht nga autoritetet përgjegjëse për burimet minerare, përpara se të ndërmerren veprime, shkruan theguardian.
Vetëm dy ditë pas paralajmërimit të autoriteteve, Trump publikoi në rrjetin e tij social Truth Social një tjetër fotomontazh provokues, ku paraqitet duke qëndruar mbi një fshat të Grenlandës.
Pas këtij projekti qëndron kompania nga Texasi, “Greenland Energy”, e themeluar vitin e kaluar. Drejtuesit e saj pretendojnë se nën rajonin Jameson Land mund të gjendet naftë me vlerë deri në një trilion dollarë. Kompania ka njoftuar se planifikon të investojë 60 milionë dollarë për shpimin e dy puseve kërkimore.
Edhe pse Grenlanda pezulloi në vitin 2021 dhënien e licencave të reja për kërkimin e naftës për arsye mjedisore, kompania britanike “80 Mile” kishte siguruar më herët të drejtat për kërkime në këtë zonë.
Sipas të dhënave të “Greenland Energy”, kompania do të marrë një pjesë kontrolluese të projektit në këmbim të financimit, por për realizimin e tij ende nevojitet miratimi i qeverisë lokale.
Një detaj tjetër interesant është se kompania ka angazhuar Phil McGraw, i njohur si Dr. Phil, ish-prezantues televiziv dhe anëtar i komisionit të Trumpit për liritë fetare, për të realizuar një seri dokumentarësh mbi këtë projekt.
Përveç kësaj, në një pozicion drejtues në kompani është emëruar edhe një veteran i Marinës amerikane, i cili ka qenë i përfshirë në projektin e mbrojtjes raketore “Golden Dome”. Trump ka deklaruar se kontrolli mbi Grenlandën është me rëndësi jetike për këtë projekt.
Si territor gjysmëautonom i Danimarkës, Grenlanda ka kompetenca të pavarura mbi administrimin e burimeve të saj natyrore. Tani drejtuesit lokalë përballen me një vendim të vështirë: të miratojnë shpimet për naftë, ndonëse zona ndodhet brenda një territori të mbrojtur nga Konventa Ramsar për ligatinat, ose ta refuzojnë kërkesën.
Refuzimi, sipas shqetësimeve të disa zyrtarëve dhe vëzhguesve, mund t’i japë Trumpit një tjetër argument për të shtyrë përpara agjendën e tij për rritjen e ndikimit amerikan mbi Grenlandën.