
Barcelona ka udhëtuar drejt qytetit italian të Udines për turneun e sontëm me tri skuadra në stadiumin “Bluenergy”.
Katalanasit janë një nga pjesëmarrësit në edicionin e parë të “Friuli Venezia Giulia Cup”, si pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri 2026-27.
Hansi Flick ka lënë jashtë skuadrës një emër të madh për ndeshjet ndaj Udineses dhe Nottingham Forest.
Mbrojtësi uruguaian Ronald Araujo është pranë transferimit te Liverpooli në formë huazimi pas negociatave të shpejta, sipas gazetës katalanase “Sport”.
Araujo, i cili humbi Kupën e Botës për shkak të një dëmtimi, kishte vazhduar programin e tij të rikuperimit dhe gjithashtu mungoi në ndeshjen ndaj Birmingham City.
Një paraqitje në Udine dukej e mundshme, por transferimi i tij i afërt në “Anfield” e pengoi këtë. Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet brenda pak orësh.
Araujo mbërriti këtë mëngjes në qendrën sportive “Joan Gamper” për të marrë sendet e tij personale dhe për t’u përshëndetur me shokët e skuadrës.
Ai nuk ishte e vetmja mungesë. Edhe Marc Casado dhe Roony Bardghji qëndruan në Barcelonë, me vendim të trajnerit Hansi Flick.
Mesazhi për Casadon dhe Bardghjin është i qartë. Ata nuk bëjnë pjesë në planet e Flickut për sezonin e ri dhe duhet të gjejnë një klub të ri përpara mbylljes së merkatos së verës.
Deco, drejtori sportiv i Barcelonës, u takua të premten në mëngjes me Cristian Emilen, agjentin e Bardghjit, në qendrën sportive “Joan Gamper”. Dy palët finalizuan detajet e fundit për largimin e futbollistit suedez nga klubi katalanas.
Agjenti i Bardghjit u pa brenda ambienteve të Barcelonës përpara se të largohej, ndërsa gazetari italian Fabrizio Romano konfirmoi se suedezi nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës.
Edhe Jofre Torrents mungoi në udhëtimin drejt Udines. Ai është pranë transferimit te Ajax Amsterdami në mënyrë të përhershme, me një kontratë katërvjeçare që e pret te klubi holandez.
“Sport” raportoi se Bardghji dhe Casado nuk e kishin idenë se Flick kishte vendosur t’i linte jashtë dhe t’i mbante në Barcelonë. Vendimi erdhi papritur, pak para se skuadra të nisej drejt aeroportit.
Sipas gazetës, lojtarët e dinin se e ardhmja e tyre ishte diku tjetër, por përjashtimi nga skuadra i kapi në befasi. Jo të gjithë reaguan në të njëjtën mënyrë.