
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me mundësinë e bashkëqeverisjes ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Gashi ka thënë se LDK-ja nuk po kërkon më shumë pushtet, por qartësi, besim dhe përgjegjësi, duke theksuar se para ndarjes së posteve duhet të ketë një marrëveshje për mënyrën e qeverisjes.
“Pushteti nuk ndahet me matematikë karrigesh. Ai ndahet pasi ndërtohen besimi, siguria dhe marrëveshja për bashkëqeverisje”, ka shkruar Gashi.
Ai ka rikujtuar edhe përvojën e bashkëqeverisjes së mëparshme mes LDK-së dhe LVV-së, e cila, sipas tij, zgjati rreth 50 ditë dhe përfundoi me rrëzimin e Qeverisë.
“Pra, kjo histori nuk është histori besimi. Është histori mosbesimi”, ka shkruar ai.
Gashi ka theksuar se para diskutimit për postet duhet të ketë pajtim për çështje të rëndësishme, përfshirë politikën e jashtme, dialogun, Asociacionin, raportet me aleatët dhe rajonin, sigurinë, ekonominë, drejtësinë, shëndetësinë dhe arsimin.
Duke iu referuar numrit të deputetëve, ai ka thënë se LVV-ja me 53 deputetë dhe LDK-ja me 18 deputetë kanë një raport përafërsisht 3 me 1 dhe se i njëjti parim duhet të vlejë edhe në ndarjen e përgjegjësive institucionale.
Sa u përket tri institucioneve kryesore – Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit – Gashi ka propozuar që dy prej tyre t’i takojnë forcës më të madhe politike, ndërsa një forcës së dytë.
Ai ka thënë se LVV-ja mund të zgjedhë mes Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, ose Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit.
Megjithatë, sipas Gashit, çështja kryesore nuk është posti i Presidentit, por mungesa e mirëbesimit dhe e një programi të përbashkët qeverisës.
“Sot duket qartë se një marrëveshje e tillë është pothuajse e pamundur. Jo sepse mungojnë karriget. Jo sepse mungojnë emrat. Por sepse mungon themeli i bashkëqeverisjes”, ka shkruar ai.
Në fund, Gashi ka thënë se Kosova nuk ka nevojë vetëm për një marrëveshje për pushtetin, por për një marrëveshje për qeverisjen.
“Më mirë një e vërtetë e vështirë sot, sesa një dështim i madh nesër”, ka përfunduar Gashi.