
Porto po përgatit një lëvizje për Santiago Gimenezin, por klubi portugez duhet fillimisht të realizojë një shitje përpara se të nisë konkretisht negociatat me Milanin.
Sipas raportimeve të gazetarit italian Gianluca Di Marzio, Porto vazhdon ta ndjekë me interes sulmuesin e Milanit dhe mund të tentojë transferimin e tij nëse Rodrigo Mora largohet nga skuadra portugeze në drejtim të Romës.
Aktualisht, nuk bëhet fjalë për negociata të avancuara mes Milanit dhe Portos për Gimenezin. Gjithçka lidhet me situatën e Morës, transferimi i të cilit te Roma është duke u negociuar.
Nëse marrëveshja për Morën realizohet, Porto pritet të ketë më shumë hapësirë financiare për të bërë ofertën e saj për Gimenezin dhe për të nisur bisedimet me Milanin, përcjell ORAinfo.
Gimenez i ka dhënë dritën jeshile Portos
Sipas Calciomercato.com, pas disa ditësh kontaktesh intensive me përfaqësuesit e sulmuesit, Porto ka arritur të marrë miratimin e Santiago Gimenezit për një transferim në formë huazimi në Portugali, me opsion blerjeje.
Në këtë proces ka luajtur rol edhe trajneri i Portos, Francesco Farioli, i cili raportohet se ka punuar intensivisht për ta bindur sulmuesin meksikan për projektin e klubit.
Tani, Porto duhet të intensifikojë kontaktet me Milanin për të gjetur një marrëveshje. Formula mund të përfshijë huazimin me detyrim blerjeje, ndonëse shuma dhe kushtet e operacionit ende duhet të përcaktohen.
Për të bërë lëvizjen përfundimtare, megjithatë, Porto duhet fillimisht të shesë Rodrigo Morën.
Klubi portugez kërkon rreth 45 milionë euro për talentin e saj, ndërsa Roma po shqyrton mënyrën e strukturimit të ofertës, e cila mund të përfshijë një shumë fikse dhe një përqindje mbi rishitjen e ardhshme të lojtarit.
Nëse transferimi i Morës te Roma përfundon me sukses, Porto do të ketë më shumë mundësi financiare për të shtyrë përpara operacionin Santiago Gimenez.
Në garë për sulmuesin e Milanit mbetet edhe Lazio, ndaj ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e meksikanit. /ORAinfo/