
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur nisjen e procesit gradual të largimit të trupave të KFOR-it nga ura kryesore e Mitrovicës.
Sveçla ka thënë se procesi do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani ka pasur përgjegjësinë për sigurinë në këtë urë, ndërsa ka bërë të ditur se me përmirësimin e situatës së sigurisë do të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës.
“Patjetër që ky është një lajm i mirë. Gjithë procesi do të vijojë në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani ka pasur përgjegjësinë e sigurisë në këtë urë”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për një proces afatshkurtër, i cili, sipas tij, do të garantojë se hapja e urës do të jetë në të mirë të të gjithëve dhe pa ndikim negativ ndaj askujt.
“Me përmirësimin e sigurisë edhe vetë prania e Policisë së Kosovës do të reduktohet. Është një proces afatshkurtër, i cili do të ofrojë garanci për të gjithë se hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ ndaj askujt”, ka thënë ai.
Sveçla ka paralajmëruar se hapat e ardhshëm të këtij procesi do të bëhen publikë së shpejti, duke thënë se ura kryesore e Mitrovicës, e cila për 27 vjet ka qenë simbol i ndarjes, do të mbetet vetëm kujtim.
“Do të vijë momenti kur hapat e ardhshëm edhe do të bëhen publikë, edhe do të shihen ashtu siç po shihen sot. Dhe një gjë e cila ka qenë brengë, por edhe simbol i ndarjes për 27 vite, do të jetë një kujtim”, është shprehur Sveçla.
Ai tha se institucionet janë të angazhuara që procesi të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe paralajmëroi zhvillime të reja.
“Të gjithë jemi të angazhuar që ky proces të përfundojë sa më mirë që është e mundshme, shumë shpejt do të kemi lajme të tjera të mira”, tha ministri në detyrë.
Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë dhe zhvillimet e fundit në aspektin e sigurisë, Sveçla tha se Serbia nuk ka ndryshuar qëndrim, por se Kosova sot është më e fuqishme.
“Serbia nuk ka ndryshuar, është po ajo e ’98-’99-ës, po ajo edhe e viteve të mëhershme. Por Kosova nuk është më e njëjta. Kosova po forcohet, Kosova realisht po ecën përpara dhe është e gatshme që të marrë të gjitha përgjegjësitë për të garantuar siguri për të gjithë”, ka deklaruar Sveçla.
Sipas tij, forcimi i sigurisë do të krijojë edhe mundësi më të mëdha për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit.