Kërçeli: Para se ta thërrasim seancën, presim të arrijmë një marrëveshje politike

12:50 | 11 Gusht 2026
kerceli:-para-se-ta-therrasim-seancen,-presim-te-arrijme-nje-marreveshje-politike

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka folur për thirrjen e seancës së re, afatet kushtetuese dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes subjekteve politike për pozitat e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Kërçeli ka thënë se janë në pritje të një takimi me partitë dhe subjektet politike për të arritur një marrëveshje për të gjitha pozitat institucionale.

“Sa i përket thirrjes së seancës së re, siç keni dëgjuar edhe nga kryeministri Kurti, ne jemi në pritje të një takimi me partitë, me subjektet politike për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të gjitha pozitat e institucioneve të Republikës së Kosovës. Deri tash unë për vete nuk jam i informuar se është bërë edhe një tentim për takime të radhës me liderët e partive politike.“Po sa i përket afatit kushtetues, ne si kemi as gjashtë ditë që jemi betuar si deputetë dhe para kësaj seance të betimit të deputetëve nuk kemi mundur të takohemi dhe të thërrasim seancë. Seanca e parë ka qenë seanca për betimin e deputetëve. Kurse sa i përket pyetjes së dytë rreth 48-orëshit, ne mendojmë se opozita po deklaron se duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe kryesia e Kuvendit, mirëpo ju siç e dini pas saj menjëherë vjen votimi për qeverinë e Republikës së Kosovës dhe pastaj për presidentin apo presidenten e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje konsideron se së pari duhet të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të gjitha pozitat, para se të votohet kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e kryesisë së Kuvendit”, tha Kërçeli.

Këto komente Kërçeli i bëri në ditën e dytë të aktivitetit tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”, organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Komento: