
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se partia e tij tërhiqet nga të gjitha kërkesat për pozita institucionale, duke thënë se ky vendim synon t’i hapë rrugë zgjidhjes së krizës politike dhe institucionale në vend.
Në një deklaratë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdixhiku tha se oferta e Lëvizjes Vetëvendosje për tri ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit ishte e papranueshme për LDK-në.
“Për një grup parlamentar prej 18 deputetësh, kjo përgjigje ishte disproporcionale me rezultatin zgjedhor dhe me vullnetin e popullit të Kosovës”, tha Abdixhiku.Sipas tij, në një marrëveshje të tillë LVV-ja do të mbante kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe pjesën më të madhe të ekzekutivit, ndërsa LDK-ja do të mbetej “një forcë e margjinalizuar dhe e nënshtruar”.
Abdixhiku tha se refuzimi i kësaj oferte nuk duhet të shihet si refuzim për të kontribuar në zgjidhjen e krizës.
“Për të çliruar procesin nga çdo alibi, për t’i hapur rrugë zgjidhjes në interes shtetëror të Republikës, LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale”, deklaroi ai.
Kreu i LDK-së bëri të ditur se partia tërhiqet edhe nga kërkesa për kryetarin e Kuvendit dhe nga kërkesa për postin e presidentit.
“LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. Nuk duam asnjë pozitë. Le t’i mbajë Lëvizja Vetëvendosje të gjitha. Heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe, më e rëndësishmja, heqim dorë edhe nga kërkesa për postin e presidentit të Republikës”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se LDK-ja nuk dëshiron të jetë pjesë dekorative e pushtetit.
“Meqë LVV-ja po vlerëson se nuk ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë LDK-në as si dekor të pushtetit të saj”, u shpreh ai.
Megjithatë, Abdixhiku tha se LDK-ja mbetet e gatshme për bisedime lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
“Jemi të gatshëm të bisedojmë, me bindje të plotë, për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës dhe Kushtetutën e saj, që e përfaqëson unitetin e popullit dhe ushtron përgjegjësi kushtetuese”, tha ai.
Sipas tij, për këtë kontribut LDK-ja nuk kërkon pozitë apo përfitim politik, por kërkon që presidenti të jetë figurë që mbron interesat e Republikës së Kosovës.
“Stabiliteti i shtetit nuk do të jetë më mall për shkëmbim. Le ta zgjedhim të gjithë bashkë një president që e mbron Republikën, Kushtetutën dhe që është president i Republikës së Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.
Ai i bëri thirrje LVV-së që të veprojë shpejt për funksionalizimin e institucioneve.
“LVV-ja le ta formojë dhe ta udhëheqë Qeverinë me shumicën e vet, le ta ketë gjithë ekzekutivin, siç e ka kërkuar. LDK-ja nuk do t’ia marrë pushtetin që dëshiron ta mbajë tërësisht, por as nuk do ta ndajë përgjegjësinë për një pushtet në të cilin nuk i lejohet rol i denjë”, tha ai.
Abdixhiku shtoi se tashmë përgjegjësia për zgjedhjen e rrugës përpara është te LVV-ja.
“LVV-ja mund ta zgjedhë stabilitetin institucional përmes një presidenti të cilin e zgjedhim bashkë dhe të qeverisë me shumicën e vet, ose mund ta çojë vendin drejt një krize të re, vetëm sepse nuk pranon as kufirin më të vogël të kompromisit demokratik”, deklaroi ai.
Në fund, Abdixhiku tha se LDK-ja e ka bërë zgjedhjen e saj politike.
“LDK-ja e ka bërë tashmë zgjedhjen e vet. Kemi zgjedhur Republikën para pozitave, stabilitetin para interesit partiak dhe dinjitetin para pjesëmarrjes në pushtet. LDK-ja nuk është as dekor i pushtetit, por as alibi për dorëzim”, tha Abdixhiku.
Ai kërkoi gjithashtu që LVV-ja ta thërrasë menjëherë seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.