
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për t’u tërhequr nga kërkesat për pozita dhe pjesëmarrje në pushtet.
Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte kandidate e LDK-së për presidente, ka thënë se vendimi i partisë synon shmangien e zgjedhjeve të reja dhe krijimin e mundësisë për zgjedhjen e presidentit të Republikës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kërkon asnjë pozitë e as pjesëmarrje në pushtet, me qëllim që të evitohen zgjedhjet e reja dhe t’i japim vendit President të Republikës që mbron Kushtetutën dhe vendin”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar se përgjegjësia politike duhet të shihet përtej interesave të momentit.
“Ne nuk jemi këtu vetëm për sot. Jemi, mbi të gjitha, këtu për gjeneratat që do të vijnë pas nesh e nuk duhet të na gjykojnë për pushtetin që e morëm, por për shtetin që ua lamë”, ka deklaruar Osmani.