
Barcelona dhe Paris Saint-Germain kanë arritur marrëveshje për transferimin e Ferran Torresit te klubi francez.
Sipas Mundo Deportivo, vlera përfundimtare e marrëveshjes është pak më pak se 50 milionë euro, pa bonuse apo variabla, që do të thotë se e gjithë shuma do të jetë fikse.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Fabrizio Romano, i cili ka dhënë edhe konfirmimin e tij të famshëm “Here we go”.
Ky transferim i jep fund aventurës së Ferran Torresit te Barcelona dhe i hap rrugën kalimit të tij te PSG. Sulmuesi 26-vjeçar ka arritur tashmë marrëveshje personale me klubin francez për një kontratë pesëvjeçare.
Torres kishte kërkuar më herët, përmes agjentit të tij, leje nga Barcelona për të munguar në stërvitjen e së mërkurës, pasi negociatat për largimin e tij ishin në fazat përfundimtare.
Ai nuk mori pjesë as në stërvitjen e sotme, duke pritur që transferimi të finalizohej.
Dy klubet tashmë kanë arritur marrëveshje verbale dhe po punojnë për përgatitjen e dokumentacionit zyrtar.
Hapi i fundit për Torresin do të jetë ekzaminimi mjekësor te PSG, pas të cilit transferimi mund të zyrtarizohet.
Sulmuesi pritet të udhëtojë më vonë gjatë ditës së sotme ose nesër drejt Parisit për të përfunduar procedurat e transferimit.