
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se vendimi që do të merret më 16 shtator në Gjykatën e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, po i shkakton ankth kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në një video të postuar në Facebook, Behrami thotë se Kurti po synon të shpall gjendjen e jashtëzakonshme në shtator në mënyrë që të pamundësohet festa ose protesta pas vendimit.
“Shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme e bën Presidenti, në konsultim me Kryeministrin legjitim, në rrethana shumë specifike. Në një situatë kur nuk kemi institucione të konstituuara, një shpallje e tillë do të ishte shkatërruese. Verdikti i 16 shtatorit po i shkakton ankth Albin Kurtit. Me Shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme në shtator, Kurti synon parandalimin e festës për lirimin e krerëve të UÇK-së ose të protestave masive, nëse verdikti do të jetë dënues”, shkroi Behrami, krahas videos së postuar në Facebook.