
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se kanë mbetur vetëm 30 ditë deri më 16 shtator.
Hamza e ka cilësuar këtë proces si një kalvar gjashtëvjeçar të padrejtë që ka mbajtur të izoluar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Gjashtë vite paraburgim. Gjashtë vite larg familjeve dhe Kosovës. Gjashtë vite përballje me paragjykime, tendenca, narrativa politike, shkelje të të drejtave dhe padrejtësi të shumta,” ka shkruar ai.
Kreu i PDK-së theksoi se pritshmëritë dhe kërkesat mbeten të panegociueshme, ‘drejtësi e plotë dhe lirimi i tyre’.
Sipas Hamzës, data 16 shtator duhet të shënojë mbylljen përfundimtare të këtij kapitulli të dhimbshëm për historinë, lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke mundësuar kthimin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së në shtëpi.
“Presim edhe 30 ditë. Presim drejtësi,” ka përfunduar reagimin e tij Hamza.