Ronaldo paralajmëron pensionimin: Ky është ndoshta viti im i fundit në futboll

10:34 | 17 Gusht 2026

Cristiano Ronaldo ka lënë të kuptohet se mund të jetë duke zhvilluar sezonin e tij të fundit si futbollist profesionist, teksa 41-vjeçari po i afrohet fundit të një prej karrierave më të lavdishme në historinë e futbollit.

Në një intervistë për revistën “Vogue”, ylli portugez deklaroi se tashmë ka nisur të mendojë seriozisht për jetën pas futbollit.

“Ky është ndoshta viti im i fundit në futboll dhe dua të lë një trashëgimi spektakolare”, deklaroi Ronaldo.

Ai tha se e ka planifikuar edhe periudhën pas pensionimit, duke përmendur udhëtimet dhe padelin si disa nga aktivitetet me të cilat synon të merret.

Sipas Ronaldos, largimi nga futbolli pas më shumë se dy dekadash në nivelin më të lartë do të krijojë një boshllëk të madh, të cilin dëshiron ta mbushë me aktivitete dhe përvoja të reja.

“Dua të vazhdoj të shijoj atë që kam fituar, atë që kemi fituar. Në fund të fundit, kanë qenë 25 vite me shumë sakrifica”, u shpreh ai.

Ronaldo ka fituar pesë herë “Topin e Artë” dhe pesë herë Ligën e Kampionëve, ndërsa gjatë karrierës së tij është shpallur kampion në disa prej ligave më të mëdha.

Me Portugalinë, ai fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2016 dhe mban rekordin si golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar për meshkuj.

Portugezi numëron aktualisht 976 gola për klubet dhe kombëtaren, duke qenë vetëm 24 gola larg shifrës historike prej 1.000 golash.

Ronaldo luan aktualisht për Al-Nassr në Arabinë Saudite, ku ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij.

Komento: