
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, ka thënë se fokusi i diskutimeve mes dy subjekteve ka qenë vetëm çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Abdixhiku tha se LDK-ja është tërhequr nga çdo kërkesë për përfaqësim institucional dhe se synimi i saj është që vendi të ketë stabilitet institucional.
“LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për përfaqësim institucional dhe e redukton diskutimin dhe interesin në çështjen më thelbësore, atë të Presidentit të Republikës”, tha Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se në takimin me Kurtin është diskutuar për kriteret dhe profilin që duhet ta ketë presidenti ose presidentja e ardhshme e Kosovës.
Sipas tij, palët kanë pasur pajtim për disa prej kritereve, ndërsa presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë që e mbron Republikën, respekton demokracinë dhe kontribuon në unitetin politik të vendit.
“Ne nuk duam një president të parëndësishëm, por një figurë e cila është e respektuar dhe ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror”, u shpreh Abdixhiku.
Ai tha se në takimin e radhës palët janë dakorduar të vijnë edhe me emra konkretë, por para kësaj do të zhvillohen konsultime të brendshme dhe me shoqërinë.
“U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme, por që në fund të ketë një emër, sepse president s’mund të ketë disa”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së theksoi se deri më tani nuk është diskutuar për asnjë emër konkret.
“Asnjë emër i përmendur deri më tash, ose partiak, ose që ka ngjyrë partiake, nuk është pjesë e diskutimeve”, tha ai.
Abdixhiku përsëriti se LDK-ja nuk kërkon poste institucionale në këmbim të mbështetjes për zgjedhjen e presidentit.
“Çështja e Presidentit duhet ta lirojë Kosovën, dhe për këtë çështje LDK-ja do të japë çdo kontributin e vet pa kërkuar asgjë me kthim përveç stabilitetit”, deklaroi ai.
Ai gjithashtu tha se mes LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk ka marrëveshje politike për bashkëqeverisje.
“Pra, nuk ka marrëveshje LDK-Lëvizje Vetëvendosje. Ajo çështje ka mbaruar. LDK-ja si parti parlamentare është pjesë e opozitës dhe ushtron rolin e vet dhe funksionin e vet për të zgjidhur një President”, tha Abdixhiku.
Sa i përket konstituimit të Kuvendit, Abdixhiku tha se LDK-ja vazhdimisht ka kërkuar që Kuvendi të konstituohet sa më parë.
“LDK-ja vazhdimisht ka kërkuar, edhe sot, dhe secilën ditë, që Kuvendi të konstituohet sa më parë. Nuk ka pasur asnjë arsye për vonesat e tanishme. Kuvendi është dashur të konstituohej deri më datën 7 gusht dhe nuk ka asnjë arsye që ky Kuvend të vonohet tash e tutje”, deklaroi ai.